E kanë paragjykuar dhe tallur. E kanë ulur për shkak të historisë së tij me gruan që ka në krah, por Mauro Ikardi, gjithnjë e më shumë po tregon se meriton të jetë kapiten i Interit. E dëftoi edhe në minutën e 92-të të “Derbit të Madoninës”, ku shënoi me kokë golin e vetëm, pra vendimtar të supersfidës, që ai e vendosi në favor të zikaltërve.
Një njeri i qetë zakonisht si Spaleti, “doli mendsh”, ndërsa Gatuzo me siguri do të jetë acaruar keqaz, siç e ka zakon, që skuadra e tij nuk qe në gjendje të mbante dot as barazimin. “Jemi më mirë teknikisht se Interi”, – kishin qenë fjalët e trajnerit të Milanit përpara ndeshjes, por siç u duk, kundërshtari ishte më i fortë.
Interi goditi edhe shtyllën, dhe e komandoi lojën thuajse gjatë gjithë ndeshjes së Serisë A, duke qenë në vendin e tretë tani, me 19 pikë, vetëm 2 më pak se Napoli. Juventusi, në fund të fundit, nuk duket aq larg, pasi 6 pikë nuk janë një “pafundësi” kur duhen edhe 29 javë kampionat.
Formacionet:
Handanoviç, Vrsaljko, De Vraj, Shkriniar, Asamoah, Vesino, Brozoviç, Politano (Kandreva 83’), Naingolan (Borha Valero 30’), Perishiç (Keita 70’), Ikardi. Tr. Spaleti
Donaruma, Kalabria (Abate 90’+2), Muzakio, Romanjoli, Rodrigez, Kesi (Bakajoko 84’), Bilia, Bonaventura, Suso, Çalhanoglu (Kutrone 74’), Higuain. Tr. Gatuzo
Sfidanti.al