Hamilton vendos gishtat tek titulli, por jo gjithë dorën!

Formula 1, si çdo sport tjetër, thuajse si moti, mund të ndryshojë nga çasti në çast. Paraqitja e atyre sendeve tepër të shpejta, të quajtura makina garash, mund të pësojë çoroditje që të çojnë në theqafje. Një të tillë e provoi Ljuis Hamilton, padyshim piloti më i madh i momentit, që nga ndjenja e një fitoreje të sigurt dhe e titullit botëror të siguruar, u detyrua të jetonte me ndjenjën e një humbjeje.

I tillë ishte vendi i tretë për të në Çmimin e Madh të SHBA-së, në Ostin, pas Kimi Raikonenit të Ferrarit dhe Maks Verstapenit të Red Bullit. Me Fetelin që doli i katërti, pasi kaloi Botasin afër fundit, Hamilton siguroi 70 pikë epërsi ndaj rivalit gjerman, kur janë në dispozicion edhe 75 pikë deri në fund.

Anglezi u detyrua të bënte një ndalesë pak xhiro para fundit, duke pasur Raikonenin dhe Verstapenin përpara. Ia doli të afrohej dhe ishte shumë pranë parakalimit të holandezit, por nuk mundi për pak të dhjetat e sekondës. Pavarësisht zhgënjimit, titulli i pestë botëror nuk pritet t’i shpëtojë, me shumë gjasë do ta fitojë në Çmimin e Madh të radhës, në Meksikë.

Renditja e pilotëve: Hamilton 346 pikë, Fetel 276, Raikonen 221, Botas 217, Verstapen 191, Riçardo 146.

Renditja e skuadrave: Mercedes 563 pikë, Ferrari 497, Red Bull 337.

Sfidanti.al