I shkëlqyeri Adetokumbo s’mund të jetë shembulli i emigrantëve!

Figurativisht, bota është sot nën këmbët e tij. Janis Adetokumbo u bashkua me legjendat Bill Rasëll, Mexhik Xhonson, Lerri Bërd, Majkëll Xhordan, Kobi Brajant apo Lebron Xhejms, duke qenë i shkëlqyer si kampion i NBA-së. Gjithsesi, jo të gjithë e dinë se basketbollisti 26-vjeçar, që sot ka kontratë 44 milionë USD në sezon, që mban veshur uniformën e shtrenjtë të Miluoki Baksave, dhe që rrethohet nga luksi, dikur ka qenë një bir emigrantësh të varfër. Tre vjet para se të përzgjidhej në NBA, në 2010, ai ishte mbledhës topash e pastrues i fushës së ekipit të Filathlitikosit të Athinës, ndërsa detyrohej të punonte si shitës ambulant në rrugët e kryeqytetit grek.

Familja e tij mezi siguronte jetesën, dhe fëmijët duhej të ndihmonin, po ashtu Janisi. Gjithsesi, pasi u pranua tek modestët e Filathlitikosit, Adetokumbo nisi të shkëlqente edhe pse në ligat inferiore të Greqisë, dhe tërhoqi vëmendjen e NBA-së. Përtej vështirësive të jetës, atij iu mohua nënshtetësia greke deri sa u bë 18 vjeç, dy muaj përpara se të shkonte në basketbollin amerikan. Fqinjët e tij e kujtojnë me dashuri, ndërsa u vjen keq për racizmin dhe privacionet që u detyrua të provonte në fëmijëri e adoleshencë.

Sporti ishte për të mjeti magjik që ia ktheu jetën përmbys. Jo më kot, basketbolli si çdo lloj sporti, i jep të drejtë më të aftit, atij që e meriton. Nuk dihet se çfarë mendon sot kampioni i NBA-së, dy herë lojtari më i mirë i NBA-së, dhe lojtari më i mirë i serisë finale të Miluokit ndaj Feniksit. Nuk dihet nëse djalit të mësuar me vuajtje i kanë rënë në kokë 44 milionë USD në vit që merr nga kontrata. Si çdo njeri fatlum, ai tani është i mbushur me optimizëm për jetën, e mendon se mundësitë janë për të gjithë.

“Besoni tek ëndrrat tuaja, – ishin fjalët e tij pasi fitoi titullin, – unë jam shembulli që ato mund të realizohen nëse punon fort”. Gjithsesi, mijëra bij emigrantës që ai i ka lënë pas në trotuaret e Athinës nuk do ta kenë shansin e tij. Kur nuk ke talentin e lindur, dhe një lloj fati, nuk i shmangesh rrugës, dhe kënaqësia për shumicën e njerëzve si ai, do të jetë thjesht të shohin në televizor shkëlqimin e talentit të Adetokumbos. Ja pra, që edhe e shumëlavdëruara meritokraci nuk i mjaftoka shoqërisë njerëzore.

Sfidanti.al