“I pamposhturi” Gjokoviç mund “mbretërorin” Federer në Uimbëlldon

Ishte finalja më e madhe e historisë, zyrtarisht më e gjata, plot 4 orë e 57 minuta. Asnjëherë nuk ishte luajtur më shumë në Fushën Qendrore të Uimbëlldonit, dhe asnjëherë tribunat e mbushura plot në “Oll Inglënd Klab” nuk kishin parë një spektakël të tillë. Novak Gjokoviç doli fitues nga “beteja shfarosëse” ndaj më të madhit tenist në histori, Rozher Federerit, duke fituar turneun më të lavdishëm të këtij sporti.

Përfundoi 3-2 me sete, me legjendën zvicerane që luajti më mirë në pjesën më të madhe të kohës, me stilin e tij spektakolar, gjithnjë ofensiv dhe më pranë rrjetës, me më shumë pikë e lojëra të fituara, me më shumë pikë nga shërbimi, me shërbim më të mirë, e me më pak gabime në shërbim, por setet ishin në favor të Noles. Tenisti serb, numri 1 i botës, i qendroi besnik nofkës që i kanë vënë si “pamposhturi”, apo “njeriu që nuk dorëzohet kurrë”, përballë “bukurisë vrasëse” të “mbretërorit” Federer.

Gjokoviç fitoi setin e parë 7-6, humbi me turp të dytin 1-6, fitoi të tretin 7-6, u mund në të katërtin 4-6, ndërsa të dy tenistët provuan një set të ri tërësisht sipas rregullave të reja. Do të luhej taj-brejku vetëm kur lojrat të barazoheshin 12-12, dhe ashtu ndodhi, ndonëse pati një dramë të vërtetë. Federer i mori shërbimet Gjokos për 8-7, dhe kryesoi 40-15 në gejmin e radhës, duke pasur dy pikë për të fituar ndeshjen.

Ballkanasi i rezistoi presionit në mënyrë legjendare, shpëtoi dy pikët e ndeshjes, dhe i mori shërbimin rivalit, kur qindra e mijëra spektatorë në Arenë kishin bërë gati fotoaparatet apo celularët për të fiksuar momentin e fitores së Federerit. Në 12-12 u luajt taj-brejku i tretë i ndeshjes, fituar sërish nga Gjokoviç.

Ky ishte titulli i 5-të kampion në Uimbëlldon për Gjokoviçin, që arrin në 16 tituj Grand Slem në karrierë. Një humbje e hidhur për Federerin, i cilësuar si tenisti më i mirë për të gjitha kohët, dhe që synonte trofeun e 9-të në Londër.

Sfidanti.al