Humbja me Seviljen rrezikon titullin, Atletiko pa Suarezin ndaj Betisit!

Ka ardhur puna aty ku nuk mban më, dhe ndërsa afron fundi i sezonit, skuadrës madrilene të Diego Pablo Simeones po i mbaron “karburanti”. Humbja 0-1 e pësuar nga Atletiko në fushën e Seviljes ishte një ftesë e hapur për Realin dhe për Barcelonën që të sulmojnë vendin e parë për të dalë kampion. Vendosi goli i shënuar nga Markos Akunja në minutën e 70-të, që më në fund mposhti të shkëlqyerin Jan Oblak duke qenë vetëm për vetëm. Përpara golit, portieri slloven kishte bërë mrekulli (ashtu si edhe kolegu i tij, Bono), por sidomos kishte pritur penallti që në minutën e 7-të, fituar nga Rakitiç e gjuajtur nga Okampos. Atletiko ka tani 66 pikë në 29 ndeshje, kur Reali ka 63 në po kaq sfida, e Barcelona ka 62, por do të luajë këtë të hënë në “Kamp Nou” ndaj Vajadolidit. Katalansit i kanë të gjitha mundësitë që të afrohen në 65 pikë dhe të jenë kandidatët kryesorë për titull. Për më tepër, për Atletikon nuk do të jenë Luis Suarez e Jorentes në ndeshjen e radhës ndaj Betisit, sepse janë të pezulluar.

Sfidanti.al