NBA, Filadelfia i uron mirëseardhjen Embijdit me fitoren spektakolare në Minesotë!

Nuk e lodhën shumë kapitenin e tyre. Basketbollistët e Filadelfias po ashtu nuk ia prishën ditën e rikthimit në ekip liderit Zhoel Embijd duke triumfuar 122-113 në fushën e Minesotës. Lojtari-qendër ishte i rëndësishëm edhe pse luajti vetëm 28 minuta e gjysmë nga 48 gjithsej, duke shënuar 24 pikë, duke kapur 8 topa në tabela e duke dhënë 2 asistë. Ai mori vlerësimin shumë të mirë, notën 20, duke bërë bllokime gjuajtjesh, por edhe duke e humbur disa herë topin. Një lehtësim i madh pas mungesës për 10 ndeshje që i kanë kushtuar me gjasë titullin e lojtarit më të mirë të sezonit.

Tobias Harris mori përsipër rolin kryesor duke shënuar 32 pikë në Arenën e Minesotës, duke i shtuar edhe 5 topa në tabela e 4 asistë, ndërsa mjaft mirë u paraqitën Sajmëns, Milton e Seth Kërri. Filadelfia dominoi në tabela, po ashtu edhe në lojën kombinative duke pasur më shumë asiste sesa Minesota. Skuadra e rëndësishme e Lindjes arriti të përballonte mbrëmjen e madhe të Karl-Entoni Taunsit.

Ylli i vendasve shënoi 39 pikë e kapi 14 topa në tabela, ndërsa shërbeu edhe 5 asistë, bëri një vjedhje topi e një bllokim gjuajtjeje. Edhe pse gaboi shumë për tri pikë sërish ai ishte kërcënimi më i madh për Filadelfian, që është një nga surprizat e këtij sezoni.  Taunsi u ndihmua sidomos nga Entoni Eduards që realizoi 27 pikë.Me këtë fitore, Filadelfia u kthye në krye të Konferencës Lindore me pikë të barabarta me Bruklinin, në një sezon shumë interesant dhe me rivalitet të madh.

Sfidanti.al