Humbja e PSG-së! Si mundet që Mesi-Mbape-Nejmar të kenë 0 gjuajtje në portë?

Edhe një ekip me emra të mëdhenj mund të thyhet, futbolli dihet që nuk është shkencë ekzakte. Gjithsesi, që Paris SG të mundet 0-2 nga Rena në Ligën e Parë të Francës dhe që treshja e jashtëzakonshme e sulmit e përbërë nga Mesi, Mbape e Nejmar të mos bëjë asnjë gjuajtje në kuadrat, kjo është tjetër gjë! Një habi e jashtëzakonshme nga Franca nga një ekip që mundi Mançester Sitin në Champions, ndonëse duhet thënë se atë përballje e dominuan anglezët, edhe pse e fituan francezët.

Sidoqoftë, pavarësisht humbjes, ekipi i trajnerit Maurisio Poçetino nuk rrezikon kreun e renditjes, që do ta mbajë edhe pas përfundimit të ndërprerjes së kampionateve për shkak të ndeshjeve të kombëtares. PSG ka 24 pikë me 8 fitore e vetëm 1 humbje, ndërsa Lensi ka 18 pikë. Me gjasë, Mesi me shokë ishin edhe të lodhur nga sfida me Sitin, edhe e nënvleftësuan kundërshtarin, por duhet ta dinë se sezonin e kaluar titullin e fitoi Lila.

Sfidanti.al