Humbja e Bajernit bën që Dortmundi të jetë pranë titullit!

Ende asgjë nuk ka marrë fund, pasi Borusia nuk jep garanci se i ka fitoret të sigurta, por gjithsesi, kjo situatë është tepër e rëndë. Pas 10 vitesh radhazi që del kampion, Bajerni mund të humbasë kurorën në Gjermani, në një sezon ku u eliminua shpejt në Champions dhe gjithashtu u flak jashtë Kupës së Gjermanisë. Duket se zëvendësimi i trajnerit Nagelsman me Tomas Tuhelin nuk dha efektin e pritur. Bavarezët u dërrmuan në shtëpi nga Lajpcigu, ndeshja e vetme që pritej disi me shqetësim, por që në fund të fundit ishte në “Alianc Arenë”. Serzh Gnabri i dha epërsinë vendasve në 25’, por pas pushimit gjithçka u përmbys. Laimer, Nkunku dhe Soboslai (dy të fndit me penallti) ishin autorët e golave. Bajerni ka 68 pikë në 33 ndeshje, Dortmundi 67 pikë në 32, ndërsa këtë të diel shkon në fushën e Augsburgut që rrezikon rënien nga kategoria. Nëse Borusia fiton dhe nëse triumfon edhe javën e fundit në shtëpi ndaj Maincit, shpallet kampion.

Sfidanti.al