Holanda e fitoi vendin në çerekfinale, por ku ka humbur “futbolli total”?!

E mësuam ekipin e parë të kualifikuar. Ky është Holanda që “preu biletën” për në çerekfinale edhe pse nuk i kënaqi tifozët në stadium dhe në të gjithë rruzullin që prisnin shumë më tepër nga një ekip që u bë dikur i shquar për futbollin total. Kanë ikur kohët e Johan Krujfit, të Van Bastenit e Gulitit, dhe kjo Holandë është kthyer në pragmatike si shumë ekipe të tjera, dhe ky stil i dha fitoren 3-1 ndaj SHBA-së. Rezultati është mjaft i bukur për t’u parë, por lojën më shumë e bënë amerikanët, që vuajtën mungesën e lojtarëve që të shënonin golat. Këta futbollistë i pati Holanda që shënoi rrjetat me anë të Memfis Depait, Dejli Blindit dhe Denzel Damfrisit.

“Tulipanët” ia lanë iniciativën kundërshtarit, edhe pse trajneri i tyre Luis Van Gal ka qenë vazhdimisht praktikant i stilit sulmues, tek Ajaksi apo me Barcelonën. Amerikanët mbajtën topin gati 60 për qind, ndërsa gjuajtjet në kuadrat e jashtë tij ishin thuajse të barabarta. Statistikë aspak pozitive për tri herë nënkampionët e botës siç janë holandezët. Pavarësisht se nuk shkëlqyen, “portokallinjtë” arritën një objekti të rëndësishëm për të qenë ndër 8 ekipet më të mirë të botës, ndërsa ndeshjen çerekfinale do ta luajnë në 9 dhjetor me shpresë për të arritur një hap larg finales së madhe.

Sfidanti.al