Nga Xhaka e Stojkoviçi deri tek përplasja e tifozëve, Serbi-Zvicër është tashmë një klasike!

Ishte sërish ai që e udhëhoqi ekipin kur doli në fushë. Granit Xhaka po ashtu shtrëngoi dorën me kapitenin e Serbisë, Dushan Tadiç, në prag të ndeshjes së Botërorit, dhe me meritë u shpall më i mirë i përballjes. Kapiteni i Zvicrës, me origjinë shqiptare nga Kosova, pati jo vetëm kontribut, por edhe përplasje të forta, diçka që mund të kuptohet për vetë presionin dhe tensionin e duelit. Në pjesën e dytë, Xhaka i tregoi organet gjenitale stolit të Serbisë, me gjasë një përgjigje për ndonjë ofendim apo thjesht një gjaknxehtësi, ndërsa kundërshtarët kërkuan penallti pas rrëzimit të Mitroviçit në zonë. Lojtarët rezervë serbë u sulën për t’iu përgjigjur, por u ndaluan nga Trajneri Stojkoviç, arbitri dhe zviceranët.

Në minutat shtesë, Xhaka pati përplasje me mbrojtësin Milenkoviç, ndërsa gjakrat u nxehën tej mase. Përfundimi ishte kacafytje me duar dhe karton i verdhë për të dy. Pas ndeshjes, shqiptaro-zvicerani festoi me fanelën me mbiemrin Jashari, për të cilën tha se ishte homazh për shokun e ekipit, Ardon Jashari, ndonëse nga mediat serbe u aludua se u bë për të nderuar kujtimin e themeluesit të UÇK-së, Adem Jashari. Edhe mjaft shqiptarë në rrjetet sociale komentuan pikërisht kështu.

Xhaka u shpall lojtari i ndeshjes nga FIFA, duke u shprehur se fitorja ishte e gjithë ekipit dhe se nuk ishte vetëm merita e tij. “Siç mund ta dëgjoni, e kam humbur zërin, – tha ai, – Jam shumë krenar. Ishte një mbrëmje e pabesueshme për të gjithë zviceranët. Për ne lojtarët, për trajnerët që punuan shumë me ne. Kjo është fitore për Zvicrën dhe tifozët zviceranë. Gjithsesi, deri tani kemi arritur vetëm synimin e parë”.

Ndërkaq, përballja pati tensione në stadium dhe jashtë tij. Disa tifozë serbë u filmuan në tribunë duke thirrur “vritini shqiptarët”. Një tifoze zvicerane, me gjasë me origjinë shqiptare, u nxorr nga stadiumi sepse festoi me simbolin e flamurit shqiptar, shqiponjën me dy koka. Trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviç, u filmua nga afër duke sharë turpshëm pas një goli, dhe besohet se mund të ketë ofenduar nënat shqiptare. Ndërkaq, në Zvicër dhe gjetkë pati përplasje të tifozëve serbë dhe shqiptarë.

Sfidanti.al