Historia e “luftëtarit” Konte, sa e vështirë si trajner i yjeve!

Diego Kosta është një tip që mund t’ia sjellë në majë të hundës shumë njerëzve, më saktë shumë trajnerëve. Kjo është më e lehtë me një “tip kolerik” si Antonio Konte, që nxehet për “hiçmosgjë”, siç edhe ndodhi verën e kaluar, kur e largoi sulmuesin braziliano-spanjoll. E largoi, por humbi një nga shtyllat e skuadrës, ndërsa sjellja e tij e furishme nisi të bëhej pak e mërzitshme dhe revoltuese për yjet kryesorë.

Mediat angleze raportojnë se ka “kryengritje” në dhomën e zhveshjes tek Çelsi, kundër trajnerit, duke e akuzuar për mënyra të mërzitshme në stërvitje, dhe për mbingarkesë. E vërteta është se ka dëmtime muskulore jo pak këtë sezon, pra mbingarkesë mund të ketë, veçse kjo nuk duket arsye e mjaftueshme për të “dërguar në djall” trajnerin. Le të kujtojmë sesa shumë dëmtime kishte Otmar Hicfeldi tek Dortmundi dhe Bajerni.

Problemi kryesor tek Çelsi është se yjet e mëdhenj nuk duan kritika, ndërsa disa prej tyre e kanë mendjen diku tjetër. Tibo Kurtua, portieri kryesor, pohoi se “zemra ime është në Madrid”, ndërsa duhej të ishte ende në Londër. Besohet se po kështu vuan zemra e Eden Hazarit, që gjithashtu kërkohet nga Reali.

Humbjet radhazi e kanë përkeqësuar pozitën e Kontes, ndonëse italiani nuk ka ndërmend të japë dorëheqje. Më mirë ta shkarkojë Roman Abramoviçi dhe t’i japë rrogat që i detyrohet, sipas kontratës me mbi 10 milionë euro në sezon. Të paktën, le t’i japë këto, pasi nuk deshi të shpenzonte për të forcuar skuadrën.

Sfidanti.al