Jo shumë kohë më parë Dirk Novicki u bë një nga emrat më të shquar të NBA-së duke arritur kuotën e 30 000 pikëve në karrierë në këtë kampionat. Superylli gjerman, padyshim europiani më i suksesshëm në basketbollin amerikan, hyri në një tjetër “klub ekskluziv” duke kaluar “tavanin” e 50 000 minutave të luajtura në NBA.
Novicki u bë i gjashti lojtar që e arrin, ndërsa përpara tij janë Karim Abdyl Xhabar, Karl Maloun, Kevin Garnet, Xhejzën Kid dhe Elvin Hajes. Rekordin e mban Xhabari me 57 446 minuta. Përsa i përket pikëve, ai ka përpara sërish Xhabarin, Malounin, Kobi Brajantin, Majkëll Xhordanin dhe Uilti Çembërlenin.
Përse ky gjerman shtatlartë, 2.13 metra, është kaq i veçantë? Përveç talentit që nuk diskutohet (kampion i NBA-së në 2011 me Dallasin), Dirku ka edhe një fizik për t’u pasur zili. Ai dëmtohet shumë rrallë dhe ka humbur shumë pak ndeshje gjatë jetës së tij sportive në Amerikë. Këtë edicion, ai ka luajtur në çdo ndeshje, dhe nëse mbahet deri në fund, do të barazohet me Majkëll Xhordanin e Xhon Stoktonin, si të vetmit që kanë luajtur të 82 ndeshjet e sezonit të rregullt në moshën 39 vjeç apo më shumë.
Sfidanti.al