Yjet e futbollit zakonisht janë nga pak egoistë, dhe duan që të jenë ata në qendër të vëmendjes. Gonzalo Higuain nuk është i tillë dhe thotë se merita kryesore e sukseseve të Juventusit këtë sezon i takon trajnerit Masimiliano Alegri. “Për të, të gjitha ndeshjet janë njëlloj, – tregon sulmuesi argjentinas, – i përjeton dhe i përgatit në të njëjtën mënyrë dhe kjo na ndihmon edhe ne që të kemi përqëndrimin e duhur”.
Higuain thotë se sekreti është pikërisht ky që “nuk shpërqëndrohemi dhe nuk ulim ritmin asnjëherë, dhe kjo na ndihmon që të luftojmë me sukses në të gjitha frontet”. Ndoshta, Gonzalo mund të ketë harruar faktin se Juventusi ka stolin më të fortë në Serinë A, madje më të fortë edhe se Barcelona, ende kundërshtar në Champions.
Mediat italiane i japin katalanasve vetëm 5 për qind mundësi për t’u kualifikuar, veçse Higuain ka vlerësim tjetër. “Barcelona tregoi ndaj Paris SG se mund të bëjë mrekulli, – tha ai, – por, ne jemi të sigurt se i kemi të gjitha armët e duhura për të shkuar përpara. Nuk e di nëse do të mjaftojë rezultati 3-0 i ndeshjes së parë, por duhet të shkojmë në Spanjë për të luftuar fort dhe për të përsëritur atë që bëmë në Torino”. Barcelona-Juventus luhet nesër në “Kamp Nou”.
Sfidanti.al