“Heroi i plagosur” Arijan Ademi shpëtoi nderin e Dinamos së Zagrebit!

Në Kroaci mendojnë se kampionia e tyre nuk është në terezi dhe se do të vuajë në Ligën e Europës, por gjithsesi janë të lumtur për kapitenin e tyre, Arijan Ademin. Shqiptari me origjinë nga Maqedonia (sot e Veriut) shënoi dy gola në fitoren 3-1 ndaj Florës së Talinit në stadiumin “Maksimir” të Zagrebit, duke siguruar kualifikimin e Dinamos për në fazën e grupeve. Në një ndeshje aspak të lehtë, Ademi shënoi golin për 2-0 në 26’ dhe pastaj për 3-1 tri minuta para fundit. “Dinamo nuk është e përgatitur për garat e mëdha, por Ademi është heroi ynë”, – shkruajnë mediat, të cilat theksojnë se futbollisti refuzoi oferta të shumta nga jashtë vendit, si nga Lacio, Betisi, CSKA-ja e Moskës, Lokomotiva e Moskës, Lila e Francës, Ferencvaroshi dhe Al Nasr. Ademi nuk e pati të lehtë ndaj Florës pasi pati një përplasje dhe u detyrua të merrte ndihmë mjekësore në fushë. Trajneri Zoran Mamiç u shpreh se kapiteni pati probleme edhe pas ndeshjes.

Sfidanti.al