Hënesi nuk flet si Bajerni: Do të shpenzojmë si kurrë më parë!

Çfarë do tradite të kesh, shpejt a vonë do të jesh i detyruar të ecësh me rrymën. E provoi Jurgen Klopi që kritikoi Murinjon e Guardiolën për shpenzimet, por që theu rekordet me Alisonin e Van Dajkun, po e provon edhe Uli Hënes, presidenti i Bajernit.

Numri 1 i bavarezëve lajmëroi se në verë do të nisë një epokë e paprecedentë, kur tha se “ne do të shpenzojmë si kurrë më parë”. Eleminimi nga Championsi, me shumë lehtësi nga Liverpuli, dhe afrimi i moshës së pensionit për shumë nga yjet, e detyron Hënesin që të veprojë, por sidomos frika se krenaria e Gjermanisë do të mbetet prapa rivalëve europianë si Reali, Barça, Juventusi, PSG apo klubet e fuqishëm anglezë.

Cilët janë lojtarët që synon klubi nga Mynihu? i sigurt është vetëm francezi Pavar, i marrë për 35 milionë euro nga Shtutgarti. Gjithsesi, shumë të mundshëm janë anglezi 18-vjeçar Kallëm Hadon-Odoi që mund të vijë për 35 milionë euro nga Çelsi, Lukas Hernandez i Atletikos dhe i Francës që mund të kushtojë 80 milionë euro. Po ashtu, mediat shkruajnë se bavarezët ofrojnë 80 milionë euro për Nikolas Pepen e Lilës.

“Bildi” shkruan se bordi drejtues mund t’i japë presidentit 200 milionë euro këtë verë, dhe këtu nuk përfshihen 42 milionë eurot për klauzolën e blerjes së Hames Rodrigezit, dhe as afrimi i ndonjë talenti të ri gjerman si Kai Haverc (19 vjeç) i Leverkusenit.

Sfidanti.al