Dueli Lebron-Janis? Për fat të keq, ai nuk ndodhi

Amerika u ul përpara televizorit mbrëmjen e fundit për të ndjekur duelin me “Zotit dhe të birit”, apo Lebron Xhejmsit e Janis Antetokunmpos. Përballeshin Miluoki Baks dhe Los Anxhelos Lejkërs, por për fat të keq, të dy klubet kishin menduar për t’i lënë pushim yjet e tyre. Miluoki e bëri sepse mendon plej ofin, ndërsa Lejkërsat sepse nuk duan të mbingarkojnë Lebronin, që ka pasur edhe një dëmtim serioz këtë sezon.

Vendasit fituan 115-101, të udhëhequr nga Kris Midëlton që shënoi 30 pikë, kapi 10 topa në tabela dhe shërbeu 5 asistë. Nikola Mirotiç, malazezi me pasaportë spanjolle, ishte po ashtu i fortë me 23 pikë e 6 topa në tabela, por Bruk Lopez bëri më shumë përshtypje. Ai realizoi 28 pikë, kapi 9 topa në tabela, shërbeu 3 asistë, bëri 3 vjedhje topi dhe 4 bllokime gjuajtjesh të kundërshtarit, në një paraqitje perfekte.

Tek Lejkërsat, papritur më i miri ishte Kentavius Kalduell-Poup me 35 pikë. Kajl Kuzma realizoi 17, ndërsa Rejxhën Rondo ishte në lartësinë e detyrës me 13 pikë, 6 topa në tabela e 10 asistë. Miluoki është thuajse i sigurt se do të dalë në vend të parë në Konferencën Lindore, dhe në vend të parë në renditjen e kombinuar në NBA, pasi ka 53 fitore e 18 humbje, ndërsa mbeten edhe 11 sfida për t’u luajtur. Lejkërsat, ndërkaq, po bëhen gati për sezonin tjetër, pasi në plej of do të marrin pushimet.

Sfidanti.al