Sa keq, yjet e Realit në rresht kundër të larguarit Solari

Kejlor Navas e sulmoi ish-trajnerin sepse nuk i dha mundësinë për të luajtur, ndërsa Vinisius bëri paksa ironi me fjalët e tij. Të paktën dy prej yjeve të Realit sulmuan Santiago Solarin, që tashmë “nuk e kanë përballë”, duke vlerësuar Zinedin Zidanin. Nuk dihet nëse në të ardhmen do të jenë të kënaqur edhe me francezin.

“Është ndryshe kur të flet Zidani, dhe ndryshe kur të flet Solari”, – tha Vinisiusi, një lojtar që ende është “zog I ri” dhe nuk ngurron të bëjë vlerësime.  Një koment jo me shumë klas, pasi nuk flitet kundër trajnerit kur ai është larguar, dhe sidomos nuk është mirë ta nënvleftësosh.

“Të gjithë lojtarëve të tjerë të skuadrës u dha mundësinë që të luanin, ndërsa mua jo, – tha Kejlor Navas, – kjo ndodhi në ndeshjen e fundit të Championsit (në grup) ndaj CSKA-së. Krijova përshtypjen që sado të stërvitesha, nuk do të mund të luaja”.

Besohet se kthimi i Zidanit i ka dhënë pak më shumë shpresë Iskos dhe Bejlit, lojtarëve që luajtën dhe shënuan në ndeshjen e parë të trajnerit francez, veçse nuk duhet të harrojmë se ishin pikërisht Isko dhe Bejl që patën konflikte me Zizunë. Isko foli në mënyrë të drejtpërdrejtë sezonin e kaluar, dhe Bejli po ashtu e la të kuptohej sesi ndihej.

Sfidanti.al