Çarterin le t’ia lenë kombëtares, sepse kohët janë të tjera. Kjo mënyrë udhëtimi nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit po kthehet gjithnjë e më shumë në “mollë të ndaluar” për ekipet shqiptare që marrin pjesë në kupat e Europës. Janë larg kohët kur Skënderbeu e kishte në xhep pasaportën ndërkombëtare, dhe po ashtu miliona euro fitime, ndaj edhe nuk e kishte problem të bridhte me avion special nëpër Europë. Këtë verë, këtë gjë e ka bërë vetëm Partizani, madje me shpenzime të mëdha kur shkoi në Gjeorgji duke paguar 80-90 000 euro. President Gazmend Demi gjykoi se ia mbante xhepi, por nuk mund të thuhet kështu për të tjerët.
Vllaznia është detyruar sot që të presë 6 orë në Bolonjë, ndërsa itinerarin e pati me avion të linjës nga Rinasi drejt Italisë e pastaj për në Krajovë të Rumanisë, ku luan pasnesër ndeshjen e kthimit në Ligën e Konferencës ndaj Universitateas vendase. Tirana e bëri një ditë më parë, edhe pse do të jetë diçka më pranë, në Mostar të Bosnjë-Hercegovinës. Pas humbjes 0-1 në “Arenën Air Albania”, dhe me shpresa më të vogla për kualifikim, kampionët morën autobusin dhe udhëtuan për 8 orë deri në Hercegovinë. Problemin më të madhe gjithsesi e pati Laçi, edhe pse ia doli të shmangte humbjen në Moldavi me Petrokubin. Ekipi u nda në 3 grupe, nga drejtime të ndryshme, ndërsa trajneri Duro shpjegoi se çfarë hoqën afrikanët. Gjithsesi, Laçi është ekipi shqiptar që ka shanset më të mëdha për të kaluar në raundin e tretë.
Sfidanti.al