Shtëpinë e tyre në Tiranë tashmë e kanë, por jo gjithmonë u hyn në punë. Sidomos në këtë periudhë të nxehtë vere, futbollistët e Partizanit janë të detyruar të kërkojnë strehë tjetër për t’u përgatitur për sezonin, dhe kështu kanë bërë. Skuadra e trajnerit Dritan Mehmeti është nisur sot drejt Pogradecit, ku pritet të qendrojë për dy javë. Një fazë e dytë përgatitore për të kuqtë, në kërkim të një klime më të freskët sesa kjo e kryeqytetit, por edhe për një arsye tjetër. Mehmeti ka kërkuar që skuadra të ketë ndeshje përgatitore, gjë që është e ështirë në Tiranë. Sezoni i ri i Superligës fillon në 20 gusht, pra pas diçka më shumë se 3 javësh, ndaj edhe Partizani do të kthehet në kryeqytet disa ditë para ndeshjes me Egnatian. Kjo do të jetë faza e dytë përgatitore për të kuqtë pas asaj që zhvilluan në Slloveni përpara ndeshjeve në Ligën e Konferencës. Partizani ishte për 3 javë në shtetin verior ballkanas, ndërsa më pas luajti dy herë me Saburtalon e Gjeorgjisë.
Sfidanti.al