Kërkoi largimin nga skuadra e vetme e jetës së tij, dhe padyshim që sezonin tjetër do të jetë me një fanelë të re. Harri Kejn është mishërimi i historisë fatkeqe të Totenhemit, skuadrës që nuk u ngjit dot në lartësinë e fillimit të viteve 60-të apo të viteve 80-të të shekullit të kaluar. Sulmuesi kryesor i Premier Ligës dhe i Anglisë, në moshën 27-vjeçare gjykoi se ishte mbushur kupa. Ai nuk do të ketë lavdinë e të tillëve si Stiven Xherrard tek Liverpuli apo Alan Shirer tek Njukasëlli, që refuzuan klube të mëdhenj për t’u bërë legjenda në shtëpinë e tyre, për të pasur dashurinë e pakushtëzuar të tifozëve, edhe pse trofetë ishin të paktë.
Gjithsesi, Kejn është më keq se ata sepse nuk ka fituar asgjë. Dikur Totenhemi e fitoi një titull kampion (1961), i fitoi disa kupa të Europës (1963, 1984), por sot aspak. Alan Shirer doli të paktën një herë kampion me Blekbërnin, ndërsa Xherrard nuk e fitoi dot titullin në Premier Ligë, por fitoi 9 trofe, mes të cilave Championsin, Kupën UEFA, Superkupën e Europës, Kupën e Anglisë dhe Kupën e Ligës. Kejn nuk ia doli dot që t’i kishte të dyja, edhe trofetë, edhe lavdinë si heroi i madh i tifozëve të Totenhemit.
Sfidanti.al