Hamilton thyen rekordin e pistës në SHBA, Fetel i dyti

Tashmë janë 72 xhiro më të shpejta në prova, 72 fitore në “pole position”-e, një diferencë prej 4 suksesesh ndaj ish-rekordmenit Mikael Shumaher, por më e rëndësishmja, titulli i katërt kampion i botës është më pranë. Ljuis Hamilton, natyrisht, ende nuk e ka fituar Çmimin e Madh të SHBA-së në Ostin, por hodhi një hap të rëndësishëm, duke lënë prapa rivalin për titull, Sebastian Fetel.

Anglezi vendosi rekordine ri të pistë me kohën 1’33”108, ndërsa gjermani iu afrua në fund fare me xhiron më të mirë të tij, 1’33”347, rreth dy të dhjetat e gjysmë më i ngadalshëm sesa Mercedesi. Edhe pse Ferrari mbetet i shpejtë, sërish dominimi i Hamiltonit ishte i plotë dhe i vazhdueshëm. Ai ka 59 pikë më shumë sesa Fetel në renditje dhe shpallet kampion bote nëse fiton dhe nëse gjermani del i pesti.

Piloti i Mercedesit do të kërkojë fitoren e 62-të për t’iu afruar sado pak rekordit tjetër të Shumaherit, atij të 91 fitoreve në karrierë, ndërsa do t’i duhet shumë djersë për të barazuar shtatë titujt botëror të të gjermanit të madh. Në vendin e tretë doli Botas i Mercedesit, ndërsa i katërti Riçardo i Red Bullit, me Raikonenin e Ferrarit vetëm të pestin.

“E dashuroj këtë pistë, – tha Hamilton pas provave, – ishte e vështirë, me erën e fortë që frynte, por bëmë një punë të mirë. Dua të falenderoj skuadrën. Më pëlqen shumë të pilotoj këtu dhe, ndonëse do të jetë e vështirë, jemi përgatitur për t’ia dalë”.

Sfidanti.al