U qëlloi një e diel e përbashkët për të realizuar ëndrra të mëdha, e për të vazhduar në rrugën drejt madhështisë. Tre kampionë të sportit, në 3 disiplina të ndryshme, shkëlqyen në pistën e Formula 1, në fushën e tenisit dhe në parketin e basketbollit. Duke nisur nga ora 14:00 sipas orës shqiptare me Ljuis Hamiltonin që startoi Çmimin e Madh të Ajfelit në Gjermani dhe arriti fitoren e 91-të në karrierë, baraz me rekordin e Mikael Shumaherit. Padyshim që do ta thyejë atë rekord, ndërsa do të barazojë e me gjasë do të thyejë edhe rekordin e 7 titujve. A do të mjaftojë që të quhet më i madhi?
Rafael Nadal barazoi Rozher Federerin me triumfin në Rolan Garos, duke pasur 20 Grand Sleme. Po ashtu ka 13 Grand Sleme në Paris, si askush tjetër në çdo turne të këtij niveli. Fitorja 3-0 ndaj numrit 1 të botës, Gjokoviç, ishte spektakolare, dhe Rafa do të synojë të kalojë rekordin e Federerit, duke qenë 3 tituj para Noles. A mund të quhet edhe ai më i madhi? A mund të bëhet i tillë?
Ja edhe Lebron Xhejmsi që nisi ndeshjen finale të NBA-së në orën 3 të mëngjesit me kohën shqiptare. Shkëlqeu përsëri, pati një tripëll dabëll, vendosi rekorde, fitoi titullin e 4-ët në karrierë, është i vetmi me tituj me 3 skuadra të ndryshme, i vetmi 16 herë në Ekipin e NBA-së, i vetmi 16 herë në Ndeshjen e Yjeve. Lufton fort me Majkëll Xhordanin për të qenë më i madhi i basketbollit.
Sfidanti.al