Në vitin 1995, një djalosh 10-vjeçar me lëkurë të errët iu afrua të famshmit Ron Denis, shefit të Meklarenit. i kërkoi autograf dhe, ndërsa Denisi po nënshkruante, i tha: “Unë quhem Ljuis Hamilton, fitova kampionatin britanik dhe një ditë dua që të garoj për makinat tuaja”. Ron Denis e pa disi me habi, por nuk ia preu shkurt. “Më telefono pas 8 vjetësh, – u shpreh ai, – besoj se do të bëjmë diçka”.
Kjo histori kujtohet sot, pasi Ljuis Hamilton fitoi titullin e pestë botëror në Formula 1, duke u barazuar me legjendën Huan Manuel Fangio. Piloti anglez, 33-vjeçar, arriti një kurorëzim të madh të karrierës, pak vjet pasi barazoi idhullin e tij, Airton Sena, me 3 tituj.
Në të vërtetë, kaluan vetëm 3 vjet që nga biseda e 1995-ës, dhe ishte vetë Ron Denisi që i telefonoi Hamiltonit, duke e mbajtur fjalën, e duke i dhënë një kontratë në programin e përgatitjes së makinave. Ai u bë më i riu që nënshkroi një kontratë të tillë në historinë e Formulës 1.
Kur ishte 12 vjeç, kompania Ladbrouks (Ladbrokes) vuri bast me kuotën 40/1 se ai do të fitonte një garë të Formula 1 para moshës 23-vjeçare, dhe me kuotën 150/1 që ai do të shpallej kampion i botës 25 vjeç. Hamilton i tejkaloi të dy këta parashikime.
Ai u bë piloti më i ri që fitonte një titull botëror, në 2008, (rekord që e theu Feteli në 2009), u bë i pari dhe mbetet i vetmi pilot zezak në këtë sport, dhe i pari zezak kampion i botës.
Tifoz i Arsenalit, ai mendon se nëse nuk do të ishte bërë pilot i F1-it, do të kishte luajtur futboll ose kriket, të cilët i praktikoi në shkollë. Ashtu si Zllatan Ibrahimoviçi, Hamiltoni u mor me artet marciale, madje kur ishte 5 vjeç, duke praktikuar karatenë, për të mbrojtur veten nga fëmijët agresivë në shkollë. Sot, ai nuk ka nevojë të mbrohet, por vetëm të sulmojë, dhe objektivi i radhës është titulli i 6-të botëror.
Sfidanti.al