Në Angli janë të bindur se ai është zbulimi i sezonit. Jo se tifozët nuk e dinin se kush ishte Erling Halandi, por sepse ajo që po bën sulmuesi norvegjez është vërtet e veçantë. Ylli 22-vjeçar shënoi 3 gola të tjerë për Mançester Sitin, në fitoren e thellë 6-0 ndaj Notingem Forestit, duke pasur statistika të jashtëzakonshme. Halandi po krahasohet me legjendën argjentinase, Kun Aguero, që luajti një dekadë me Sitin duke u bërë rekordmen. Aguero shënoi 8 gola në 5 ndeshjet e tij të para me fanelën e Sitit, ndërsa norvegjezi ka arritur në 9. Ky është një rekord për Premier Ligën angleze. Aguero ishte 23 vjeç kur erdhi tek Siti, ndërsa Halandi është 22.
“Ishte diçka shumë e bukur, nuk mund të them asgjë tjetër, – tha sulmuesi, – ne luftuam shumë dhe e filluam ndeshjen shumë mirë. Nuk donim të rrezikonim siç bëmë në ndeshjen e kaluar, dhe kjo na ndihmoi që të shënonim shumë gola që në fillim. Unë përpiqem të dëgjoj sa më shumë këshillat e trajnerit, të punoj sa më shumë dhe të bashkëpunoj me shokët. Ky është sekreti i suksesit”.
Sfidanti.al