Atmosfera në fund të ndeshjes në “Sent Xhejmsis Park” është gjithçka për të cilën luhet futbolli. Ky ishte komenti plotësisht sportiv i Pep Guardiolës, ndërsa doli nga fusha e Njukasëllit duke marrë me zor të madh barazimin 3-3. Mançester Siti rrezikoi të humbiste, në të njëjtën ditë kur Çelsi “u shqep në dru” në Lids (0-3), dhe trajneri katalanas me siguri ka ndjerë një lehtësim të madh. “Njukasëlli e tregoi veten si ekip shumë të fortë dhe do t’i hapë punë të gjithëve, – tha Pepi, – (trajneri) Ed Houi është një nga më të mirët në Angli, por edhe ne gabuam që nuk i ngadalësuam në 30 metrat e fundit, ndaj ata sulmuan në mënyrë maksimale. Ja pra, që do të kemi ndeshje çdo 3 ditë, do të lodhemi, dhe Halandi nuk do të luajë gjithnjë”. Gyndogan kaloi Sitin në epërsi, por “laraskat” përmbysën gjithçka me anë të Almironit, Uilsonit dhe Tripierit, veçse Halandi (60’) dhe Bernardo Silva (64’) reaguan në kohën e duhur. Siti ka 7 pikë pas 3 ndeshjeve, po aq sa Totenhemi, Lidsi e Brajtoni, ndërsa Arsenali kryeson Premier Ligën me 9 pikë të plota.
Sfidanti.al