Është një trajner i madh, por këtë periudhë kaq të zezë nuk e ka provuar kurrë më parë në karrierë. Njeriu i stolit të Liverpulit është një njeri optimist më tepër sesa mund të mendohet, veçse duket as doza e tij optimistike nuk po mjafton që të kuqtë të ngrenë kokë. Ndaj Fulhamit u pësua një tjetër humbje në “Anfild”, në Premier Ligë, e gjashtë radhazi në këtë stadium, ndërsa Liverpuli ka serinë më të gjatë të disfatave të një kampioni të Premierit në histori.
Një gol i Mario Leminasë në fund të pjesës së parë dënoi ekipin e Klopit, i cili u përpoq shumë, goditi edhe shtyllën, por pa dobi. Besimi në forcat e veta ka rënë në nivele shumë të ulëta, dhe rreziku është i madh që të mos kualifikohen sezonin e ardhshëm për në Champions nga kampionati. Shpresa e vetme mbetet fitorja e vetë Championsit, por si mundet të tjetërsohet kjo skuadër e të bëhet e aftë për në Europ, kur në Angli po gremiset gjithnjë e më shumë. Nuk dihet as se cili do të jetë fati i Jurgen Klopit, edhe pse Liverpuli nuk është nga ata klube që heq lehtë trajner. Gjithsesi, sezoni rrezikohet të dështojë në mënyrë të pabesueshme, dhe kjo po i ndodh një ekipi që vjet doli kampion i Anglisë, dhe në 2019, kampion i Europës.
Sfidanti.al