Në derbin mes Atletikos e Realit fitoi … Barcelona

Nuk mund të kishte rezultat më të mirë për katalanasit sesa ky në “Uanda Metropolitano”, edhe pse pozitat e tyre ende nuk janë nga më të mirat. Barazim 1-1 mes Atletikos e Realit që e lë të hapur çështjen e titullit në La Liga. Armiku i vjetër, Luis Suarez, kaloi bardhekuqtë në epërsi në shtëpinë e tyre, por falë paraqitjes së Kasemiros dhe golit të Benzemasë, kampionët në fuqi të Spanjës morën barazimin dy minuta para fundit.

Kjo do të thotë se Atletiko ka 59 pikë ndaj 56 të Barcelonës, por që ka luajtur një ndeshje më shumë. Reali është në vend të tretë me 54 pikë, ndërsa katalanasit do të donin më shumë që titullin ta fitonte Atletiko sesa rivali i tyre i madh. Barazimi nuk lejoi që Atletiko të shkëputej, ndërsa e la Realin prapa. Si shpesh herë pati polemika sepse madrilenët e Zidanit pretenduan penallti kur një lojtar vendas preku topin me dorë në zonë. Rregullorja thotë “penallti”, por gjyqtari Hernandez Hernandez vendosi ndryshe. “Nuk patëm sërish fat me këtë arbitër”, – thanë nga Reali pas ndeshjes.

Suarez shënoi golin e 17-të të kampionatit, dhe siç theksojnë mediat “ky ishte qortimi i 17-të për Barcelonën që e la të largohej”. Po ashtu, Jorente shërbeu asistin, që ishte i 8-ti këtë edicion, një qortim për Zidanin që e lejoi të largohej nga Reali.

Sfidanti.al