Nuk ishte normale fitorja e Milanit në Veronë, me 8 lojtarë minus

Siç shkruajnë mediat italiane, një sukses në stadiumin “Bentegodi” do të kishte qenë i vështirë edhe nëse kuqezinjtë do të kishin qenë të plotë. Verona mbetet një skuadër e fortë, ashtu siç ishte edhe vjet kur mundi Juventusin me një përmbysje. Gjithsesi, Milani triumfoi 2-0, madje u duk sikur e bëri pa sforcim, ndonëse pati 8 lojtarë mangut. Përveç Zllatan Ibrahimoviçit, mungonin Rebiç, Çalhanoglu apo Hernandez, për të mos thënë më shumë. “U fitua me zgjedhjet e dyta”, shkruan “La Gazeta delo Sport”. Golat u shënuan nga Rade Kruniç dhe Diogo Dalo, secili në një pjesë loje, ndërsa trajneri Stefano Pioli, pati kaq pak zgjedhje dhe kaq pak nevojë saqë bëri vetëm një zëvendësim, hodhi në fushë norvegjezin Hauge për Samu Kastijehon. Padyshim, mendoi edhe për ndeshjen e të enjtes ndaj Mançester Junajtidit në Ligën e Europës.

“Kur është e nevojshme ne jemi gjithnjë aty ku duhet, – theksoi Pioli, – ne kemi gjithnjë besim. Ishte një ndeshje e vështirë, por ishte nga më të mirat për ne, sepse vuajtëm pak. Patëm shumë mungesa, por ata që luajtën e treguan veten. Gjithnjë është Milani që fiton. Nga ne kërkojnë më shumë vazhdimësi, por jemi të rinj, ndaj unë jam krenar për djemtë. E dimë se çfarë cilësish kemi dhe se çfarë defektesh duhet të rregullojmë”. Me këtë fitore, Milani ka 56 pikë në vend të dytë të Serisë A, vetëm 3 pikë më pak se Interi që e luan nesër ndeshjen e vet të kësaj jave.

Sfidanti.al