A do t’i thotë Sergio Ramosi “Po” Realit për ditëlindje?!

Dita e sotme është e shënuar për klubin e Madridit. Në “Santiago Bernabeu” presin urime sepse Reali mbush 119 vjeç! Padyshim, i themi “edhe 100” “Mbretit të futbollit”, por presidenti Florentino Perez po pret një urim të veçantë. Ky mund të vijë nga kapiteni Sergio Ramos, nëpërmjet një “Po”-je për rinovimin e kontratës. Mediat madrilene shkruajnë se kurrë nuk ka qenë më e madhe mundësia e një akordi mes kapitenit dhe Madridit, edhe pse ende ka hezitim.

Qendërmbrojtësi dëshiron të kthehet në fushë sa më shpejt pas operacionit në gju, ndërsa tani është në stërvitje individuale, kurse nga drejtuesit oferta është bërë dhe ata thonë se është e fundit dhe se ka një afat. Një lloj ultimatumi, edhe pse “me arsye”. Perezi 73-vjeçar ka vendosur afat deri në fund të këtij muaji për një përgjigje, ndërsa oferta është 1+1, pra rinovim me një vit me të drejtë edhe për një sezon tjetër. Ramosi dëshiron 2 vjet, ndërsa nuk është shumë e qartë sesi është puna e rrogës. Për momentin, kapiteni ka refuzuar oferta të klubeve jashtë Spanjës (sipas “Markës”), e ndoshta mund të japë një përgjigje pozitive për ditëlindjen e Realit.

Sfidanti.al