Më në fund po gjejnë formën e sezonit të kaluar. Tirana arriti fitoren e katërt radhazi, ndërsa në stol nga trajnerin Orges Shehi, këtë herë në fushën e Kastriotit. Përfundoi 2-1 në stadiumin e Kamzës, ku kampionët në fuqi të Shqipërisë patën ndeshjen nën kontroll duke qenë në epërsi nga fillimi deri në fund, edhe pse krutanët nuk u dorëzuan për asnjë moment.
Një penallti e pastër dhe e habitshme, kthyer nga gol nga Taulant Seferi, dhe një goditje dënimi mjeshtërore e Erion Hoxhallarit, ishin të mjaftueshme që kryeqytetasit të kalonin provën e vështirë përballë ekipit të trajnerit Ramadan Ndreu. Një gol i brazilianit Devid, shënuesi i përhershëm i Kastriotit, nuk mund t’i ndalte kampionët, që po kujtojnë atë që ekip që u shpall vjet kampion nën drejtimin e trajnerit Emanuel Egbo. Çfarë ka ndryshuar Shehi te futbollistët që kishin humbur besimin? Nuk është e qartë se çfarë mund të jetë duke bërë më shumë sesa paraardhësi i tij, Nevil Dede, njohës i mirë i Tiranës, por faktet janë që po fitohet dhe se me 35 pikë, kryeqytetasit janë në pretendime edhe për titullin. Suksesi erdhi pikërisht në prag të derbit ndaj Partizanit.
Këtë gjë nuk e bëri dot Teuta. Durrsakët u ndalën në barazim 1-1 në fushën e Bylisit, duke hedhur një hap fals në garën për titull, ndonëse ishte e ditur që sa më shumë të kalonin javët, aq më fort do të luanin ekipet që rrezikojnë Superligën. Edhe pse ekipi i trajnerit Edi Martini kaloi në avantazh me penalltinë e qartë të Bregut, mallakastriotët reaguan shumë shpejt. Beji barazoi 7 minuta më pas, ndërsa vendasit u mbajtën deri në fund. Teuta ka 41 pikë në vend të dytë përkohësisht, ndërsa Bylisi është në vendin e tretë nga fundi me 19.
Sfidanti.al