“Kurrë mos thuaj kurrë”. Këto ishin fjalët e shqiptarit të Zvicrës, ndërsa u pyet për vazhdimin e karrierës së tij në “Emirejts” dhe lidhur me shanset për të marrë përsëdyti shiritin tek “topçinjtë”. Granit Xhakës iu hoq detyra e kapitenit “me ceremoni” pasi u përplas me tifozët e Arsenalit gjatë një ndeshjeje në 2019, por që nga ajo kohë shumë gjëra kanë ndryshuar. Trajneri Unai Emeri u largua, erdhi Mikel Arteta, dhe krijoi raporte më solide me mesfushorin me origjinë nga Kosova. Mediat angleze shkruajnë se Xhaka po jep këtë sezon një kontribut të madh, duke qenë ndër më meritorët në përpjekjen e Arsenalit për t’u kualifikuar në Champions. Për më tepër, po thuhet se ai është një lider, se e meriton sërish shiritin, dhe se festoi bashkë me tifozët pas golit të shkëlqyer ndaj Mançester Junajtidit. “Një kapiten i Arsenalit mund të jetë edhe pa shirit, – thotë Xhaka, – dhe unë po përpiqem të jap shembullin tim. Nëse klubi ma jep sërish shiritin, unë jam gati”.
Sfidanti.al