Dikur, në kohën e “Enverit”, thuhej një barcaletë me një baba që ia kishte shtruar me të ngrëna e të pira në klubin e lagjes, ndërsa e kishte harruar fare djalin. Ky i shkreti iu afrua të jatit dhe i tha: O ba, po për mua nuk do marrësh gjë? Babai, që ishte te dopio e tretë, i thotë banakieres, “jepi një pastë 5 lekëshe djalit, se për këta fëmijë po punojmë”.
Në Shqipërinë e sotme po ngjan diçka e tillë me futbollin e fëmijëve, por nuk është aspak barcaletë, edhe pse duket si film “fiction”. Nisma e fundit e FSHF-së, së bashku me UEFA-n dhe qeverinë, është “Gjithçka për fëmijët”, dhe ka të bëjë me futbollin në shkolla. Ideja është që të masivizohet loja e futbollit në shkolla, me mësues fizkulture të instruktuar dhe me një orë fizkulture në javë që të jetë për futbollin.
Menjëherë vjen pyetja: Ku do të luajnë këta fëmijë? Në FSHF nisin e përtypen dhe të thonë se “fëmijët luajnë në fusha të vogla, disa do t’i rregullojmë, ndërsa për ato shkolla që nuk kanë fusha, do të marrim masa që fëmijët të luajnë në fushat ku ka investuar Federata”.
E vërteta është që, qoftë për fëmijët në shkollë, qoftë për fëmijët nëpër klube, futbolli është kthyer në një ëndërr të vështirë, në mos të pamundur. Me dhjetëra fusha, të mëdha e të vogla, janë zhdukur vetëm në Tiranë, pa llogaritur qytetet e tjera, për t’i lënë vend pallateve të shëmtuara shumëkatësh, që kanë dëmtuar jo vetëm sportin, por edhe shëndetin, me mizërinë e makinave e të njerëzve që kanë sjellë, dhe me ndotjen e ajrit nga karburanti i trafikut të përditshëm.
Sot është vonë, pasi krimi ka ndodhur, ndaj mbetet vetëm që fushat të nërtohen në tarracat e shkollave apo të pallateve. Sa për komplekset në Kamzë, Pezë Helmës apo Mullet, me infrastrukturën rrugore që ka Tirana, fëmijëve i bie ta humbasin ditën në trafik, duke shkuar e duke ardhur në stërvitje. Siç thuhej dikur, “kjo është një shaka që do të ngordhte edhe ariun, jo më njeriun”.
Sfidanti.al