Gjimshiti, pas Uzunit një shqiptar fiton në “Anfildin” e Bitëllsave!

U dhanë si të shkatërruar pas katastrofës së ndeshjes së kaluar në Champions, kur Liverpuli triumfoi 5-0 në Bergamo, por Atalanta jo më kot është “DEA”. Një “perëndeshë” pra, nga ato që lëshojnë shigjeta të zjarrta dhe e bërë këtë në ndeshjen e kthimit në “Anfild”. Në qytetin e Bitëllsave dhe të futbollit, skuadra më e bukur e Italisë, dhe një nga më simpatiket e Europës, përfitoi edhe nga mungesat e vendasve për të vënë nderin në vend.

Fitore 2-0 të merituar me lojë, dhe me një shqiptar në fushë. Pasi Myrto Uzuni festoi në Torino me gol ndaj Juventusit, Berat Gjimshiti ishte në qiellin e shtatë në Liverpul, duke ruajtur portën të paprekur si shtyllë e mbrojtjes. Sa shumë rrugë ka bërë që nga lënia jashtë kombëtares shqiptare në finalet e Euro 2016-ës! Bergamaskët shënuan me anëtë Josip Iliçiçit në 60’ dhe Robin Gosensit në 64’. Jurgen Klopi, që kishte mungesa dhe la disa lojtarë pushim, hodhi në fushë këtë formacion: Alison, N. Uilliams, R. Uilliams, Matip, Cimikas, Milner, Vajnaldum, Xhons, Mane, Salah, Origi.. Atalanta: Golini, Toloi, Romero, Gjimshiti, Hatebër, De Ron, Frojler, Pesina, Gosens, Iliçiç, Gomez. Tashmë, shanset për kualifikim janë për 3 skuadra pasi Liverpuli kryeson me 9 pikë ndaj 7 të Ajaksit dhe Atalantës.

Sfidanti.al