Interi i Kontes “ngel në klasë” në provimin më të madh të sezonit!

Nuk është një Real i frikshëm, dhe as nga skuadrat më të mira të kohëve të fundit, por kur luan ndaj Interit mendon ky i fundit për të t’i lehtësuar gjërat. Kështu bëri skuadra e Kontes që papritur luajti pa shpirt dhe vendosmëri ndaj një kundërshtari që mund të mposhtej vetëm nëse do të luaje në maksimum. Krejt ndryshe nga përballja e kaluar në Madrid, kjo e Championsit në “San Siro” ishte si një “film pa zë”, me italianët që duket se nuk e përballuan dot presionin e madh mbi supe, aq sa as vetë Konte nuk arriti t’i ndihmonte.

Frikë, nerva dhe gabime, plus edhe kartonë, e si përfundim humbje. Topat e shumtë të humbur para zonës sollën rrezikun dhe Barela shkaktoi penallti pa kuptim ndaj Naços. Hazar shënoi, por Lukas Vaskez goditi shtyllën dhe Reali mund të kishte realizuar më shumë. Në 33’, Arturo Vidal, një “antimadrilen” i vjetër, u acarua me gjyqtarin ndërsa pretendoi penallti, aq sa mori karton të kuq. Interi nuk po mundej ta mundte Realin me 11, jo më ta bënte me 10, ndaj pas pushimit nuk pati shumë histori. Rodrigo shënoi golin e dytë, dhe madrilenët fituan edhe pse pa Sergio Ramosin dhe Karim Benzemanë. A mund të kualifikohet Interi? Po, nëse i fiton dy ndeshjet e mbetura me Mynshengladbahun në Gjermani dhe Shahtarin në Milano, dhe nëse Reali i fiton dy ndeshjet e veta.

Sfidanti.al