Mos vallë “era po fryn” sërish nga Dortmundi? Skuadra e Rurit, e cilësuar prej shumë vitesh si anti-Bajerni, më në fund jetoi në lartësinë e kësaj nofke duke e mundur formacionin më të fortë në Gjermani. Kryedueli i javës në Bundesligë përfundoi me fitoren e verdhezinjve ndaj të kuqve në “Signal Iduna Park” të Dortmundit.
Mario Gëce e realizoi hakmarrjen e tij për lënien vazhdimisht në stol, duke prekur çdo top të rëndësishëm të vendave, padyshim edhe atë që solli golin e realizuar nga Pjer-Emerik Obamejang. Sulmuesi i kërkuar nga Reali, për momentin mendon vetëm për fanelën që ka veshur dhe përcaktoi fatin e duelit, me rrjetën numër 12 të tij në kampionat këtë sezon.
Suksesi e bën Dortmundin po ashtu pretendent për titull, po ashtu si Këlnin, pasi të dyja skuadrat kanë nga 21 pikë, në vendet 3 dhe 4. Gjithsesi, ndeshja ishte tepër e vështirë, pasi Bajerni këmbënguli fort dhe mbajti topin thuajse ekzkluzivisht në zotërim. Levandovski e Myler patën disa raste për gol, ndërsa Shabi Alonso goditi shtyllën, por Dortmundi u mbajt deri në fund.