Gatuzo ndjen më në fund Milanin e tij, me Kutronen e Higuainin

Olimpiakosi u tregua i rrezikshëm në “San Siro”, por vetëm pjesërisht. Nuk ishte shumë larg suksesit, por nuk ia doli përballë një Milani që diti të reagonte dhe që po tregon më në fund se ka cilësi dhe personalitet. Deri në minutën e 70-të, grekët ishin në komandë në ndeshjen e Ligës së Europës, por pikërisht atëherë presioni milanist dha rezultat. Kutrone në minutën e 70-të, Higuain në të 76-ën dhe sërish Kutrone në minutën e 79-të, përmbysën shifrat bindshëm në vetëm 9 minuta.

Gatuzo po ndjen se më në fund po drejton Milanin e tij, atë që nuk dorëzohet kurrë, ndërsa veproi mirë që hodhi në fushë pas pushimit Kutronen dhe Çalhanoglunë. Mesfushori turk goditi shtyllën dhe dhuroi dy asistë, ndërsa sulmuesi i ri realizoi një dygolësh. Milani kryeson i vetëm renditjen e grupit në Ligën e Europës, ndërsa Gatuzo padyshim që kërkon ta fitojë trofeun, edhe pse më shumë rëndësi ka kualifikimi për në Champions sezonin e ardhshëm.

Sfidanti.al