Gabove Kristiano! Një shtyrje e arbitrit i ka hak 5 ndeshje pezullim!

Dy moment pakujdesie i kushtuan jo pak. Kristiano Ronaldo u pezullua me 5 ndeshje nga Disiplina në Ligën Spanjolle të Futbollit. Ylli i Realit u ndëshkua për kartonin e kuq, por sidomos për shtyrjen që i bëri gjyqtarit Rikardo De Burgos Bengoeçea në sfidën e Superkupës së Spanjës ndaj Barcelonës.

Ishte minuta e 82-të kur ndodhi momenti që i kushtoi rëndë portugezit, pasi katër ndeshje pezullim iu dhanë pikërisht për gjestin ndaj arbitrit. Topi i Artë do të humbasë finalen e dytë të Superkupës në Madrid, si dhe katër ndeshje të ligës spanjolle, që fillon këtë fundjavë. Reali dhe Kristiano kanë të drejtë apelimi në një afat 10-ditor, ndërsa sipas vendimit të Disiplinës duhet që klubi të paguajë 1400 euro gjobë dhe futbollisti 3 000 euro.

Ronaldo hyri në fushë në minutën e 58-të, dhe arriti të shënonte 22 minuta më pas, duke e kaluar sërish Madridit në epërsi, me shifrat 2-1. Pas golit, ai përsëriti veprimin e Mesit në “Bernabeu”, duke hequr fanelën dhe duke ia treguar publikut të “Kamp Nout”, por kjo i kushtoi, sipas rregullores, kartonin e parë të verdhë.

Pak minuta më vonë, ai u përpoq të fitonte një penallti, por ky ishte gabimi i dytë, dhe ai që u kthye në fatal. Gjyqtari e gjykoi simulim rrëzimin e Ronaldos, ndoshta duke e ekzagjeruar, por shumë më e rëndë ishte ajo që bëri futbollisti. Një Top i Artë, një kampion dhe një model për miliona njerëz duhej ta kishte shmangur.

Sfidanti.al