Valverde: Mjaft më se u teprua , harrojeni Nejmarin!

“Duhet të shohim përpara, do ta mbushim vendin bosh të Nejmarit, mjaft më, harrojeni atë, mos u merrni më me të kaluarën”, janë fjalët e trajnerit të ri të Barcelonës, Ernesto Valverde, duke iu drejtuar atyre tifozëve që ende “qajnë” për largimin e futbollistit brazilian për te PSZH-ja, sidomos mbas humbjes së hidhur 1-3 në Superfinalen e Spanjës ndaj rivalit kryesor të Barçes, Realit të Madridit.

Para 10 ditësh, sikurse dihet, Nejmari iu shit për 222 milionë euro të pabesueshëm ekipit nënkampion të Francës, PSZH, dhe ish-trajneri i Atletikos së Bilbaos (Valverde), tani, zbulon se ai kishte marrë vesh për dëshirën e Nejmarit që të ndërronte “mjedis”, pikërisht, atë ditë, kur futbollisti brazilian tha publikisht se do të shkonte te PSZH-ja. “Atë ditë, ai erdhi në zyrën time dhe më tha se nuk donte më që të luante për Barcelonën. Unë kisha dëgjuar edhe më parë zëra se ai do të largohej, por mendoja se ato ishin spekulime të zakonshme. Por, atë ditë, ai ma tha në sy se donte të largohej. Më erdhi keq, po çfarë mund të bëja. Tani, ne duhet të shohim vetëm përpara, harrojeni Nejmarin, do të zëvendësojmë atë”, vuri në dukje trajneri i Barcelonës, Valverde.

Sfidanti.al