Gabon Sarri, në Serinë A nuk mbyllet ndeshja 2-0, pyet Milanin

Nuk ndodh ndoshta aq shpesh sa në Gjermani apo Angli, por gjithsesi ngjan. Seria A hodhi poshtë deklaratën e Mauricio Sarrit se me 2-0 ndeshjet në Itali marrin fund. E provoi Milani i “nxënësit” Gatuzo, përballë Napolit të “mësuesit” Ançeloti, me milanezët 2-0 në epërsi, por përfundimisht të mundur 3-2.

Ish-ekipi i Sarrit po i bën një tjetër nisje të shkëlqyer kampionatit, duke fituar dy ndeshjet e para, që të dyja me përmbysje, 2-1 në fushën e Lacios dhe 3-2 në “San Paolo” ndaj kuqezinjve. Xhakomo Bonaventura e Davide Kalabria shënuan për miqtë, por Piotr Zielinski luajti rolin e Insinjes, Mertensit e Kajehonit, duke shënuar dy herë. Dhjetë minuta para fundit ishte vetë Mertens që siguroi suksesin.

A do të thotë kjo se Napoli i Ançelotit, ndryshe nga ai i Sarrit, do të jetë për titull? As nuk mund të bëhet parashikim që tani, pasi dy javë janë shumë pak dhe kampionia Juventus e bën diferencën në fund, atëherë kur tregon se ka shumë më tepër alternativa sesa rivalët.

Sfidanti.al