Kur lojtari më i madh i botës ndjen se ka ndoshta shansin e fundit për të shkëlqyer e për të fituar trofetë e mëdhenj, është tepër e vështirë që ta ndalosh. Aq më shumë kur humb raste në portën e ekipit të tij. Lionel Mesi e tregoi veten sërish si gjeniun e epokës në futbollin botëror, duke shënuar dy gola, e duke e afruar Barcelonën me finalen e Championsit në Madrid, edhe pse katalanasit nuk ishin në asnjë mënyrë në nivel më lart se Liverpuli.
Jo vetëm kaq, por deri kur Mesi shënoi për së dyti, anglezët po luanin shumë më mirë se vendasit, dhe publiku kishte nisur vërshëllimat nga të cilat “më i dëmtuar” doli Filip Kutinjo. U desh klasi i portierit Ter Shtegen që të ruhej porta e paprekur, mungesa e fatit të kundërshtarit dhe mungesa e Roberto Firminos, por kuptohet, së pari u desh madhështia e njeriut që po shkon drejt Championsit të pestë dhe Topit të Artë të gjashtë në karrierë.
Përfundoi 3-0 ndeshja në “Kamp Nou”, një sfidë e shkëlqyer, shumë më e fortë dhe më e ekuilibruar sesa thotë rezultati, por siç e thamë më lart, një lojtar i vetëm mund të bëjë diferencën. Ky ishte Mesi, kapiteni dhe lideri i kampionëve të Spanjës, që arriti në 600 gola në karrierë me klubet, duke u barazuar brenda pesë ditëve me Kristiano Ronaldon, që e kishte bërë të shtunën, por me shumë më tepër ndeshje. Siç thoshte një koment në BBC-në angleze, “Liverpuli mund të quhet skuadër më e mirë se Barcelona, por nuk e ka Mesin”.
Sfidanti.al