Futbolli nuk mbulon gjithçka, historia e Monakos nuk është vetëm Mbape!

Klubi i futbollit, Monako, ka zënë një nga vendet e para në renditjen e titujve sportivë në Europë. Së fundi, një llogari e saktë nxorri se fitimi nga shitja e lojtarëve këtë verë ka arritur në 360 milionë euro, dhe se me transferimin e mundshëm të Lemarit, do të shkojë në 440 milionë euro. Janë plot 10 lojtarë, pra thuajse një formacion, që largohen, me trajnerin Zhardim që ka shpenzuar rreth 95 milionë euro për të sjellë shumë futbollistë të tjerë, në mënyrë që Monako të jetë sërish ekip i fortë dhe të habisë Francën dhe Europën.

Gjithsesi, këto histori marramendëse me emra të Mbapesë, Falkaos, Lemarit, Benzhamin Mandisë, Bernardo Silvës apo Timue Bakajokos, është vetëm pjesa e dukshme e “ajsbergut” Monako. Klubi i zotërua vazhdimisht nga familja Grimaldi e Principatës, sot ka për pronar një rus, Dmitri Ribolovljov, madje për të qenë “juridikisht korrektë”, ka për pronare vajzën e Dmitrit, Jekaterinën 28-vjeçare. Kjo familje e pasuruar në kaosin e rënies së Bashkimit Sovjetik, ka një akuzë që shkoi në gjyq, se Dmitri ka urdhëruar vrasje për qëllim konkurrence në biznes, ndonëse gjykatat (qofshin edhe ato në Perëndim) vështirë se mund të zgjidhin një çështje të tillë.

Dmitri ia dha klubin e Monakos së bijës për të shpëtuar nga humbja e miliona dollarëve nga divorci me gruan e tij, Jelenën. Me një publik prej vetëm 8 000-9 000 spektatorësh vitet e para, Monako e tyre ia lejoi vetes të shpenzonte 170 milionë euro brenda një vere, ndonëse bilancet financiare as që mund të balancoheshin. Më pas, Liga Franceze e kërcënoi Monakon që të paguante taksat si të gjithë klubet e Francës, pasi sipas ligjeve të Principatës, ajo kursente 50 milionë euro çdo vit (buxheti i Monpeljesë). Edhe kjo çështje shkoi gjyqeve, si ajo e akuzës për vrasje dhe e divorcit miliarder me gruan.

Kjo është historia e vërtetë e Monakos, e klubit të familjes super të pasur ruse, Ribolovljov, një histori shumë më dramatike sesa ajo që ka mundur të shkruajë shkrimtari legjendar rus, Maksim Gorki, “Vepra e Artamanovëve”. Historia e një familjeje, ku paraja shkelet me këmbë dhe ku një vajzë “buzëqumësht”, Jekaterina 22-vjeçare bleu një apartament në Nju Jork me vlerë 88 milionë dollarë.

Sfidanti.al