Dhuna është kryefjala e ditës, edhe më shumë sesa historitë e Mesit, Nejmarit e Mbapesë. Franca dhe Parisi nuk janë vetëm PSG-ja, ndërsa për të tretën herë në këtë sezon kaq të hershëm pati përleshje në një ndeshje futbolli të ligës franceze. Këtë herë ishin tifozët e Marsejës dhe Anzherit që hynë në fushë për të “larë hesapet”, ndërsa më herët u braktis ndeshja mes Nisës e Marsejës, dhe pati dhunë në sfidën Lens-Lilë! Ç’po ndodh me futbollin francez, apo më mirë të themi ç’po ndodh me Francën? Nëse do t’i përmbahemi parimit se “stadiumi është vendi më demokratik ku njerëzit shfryjnë hallet që kanë”, atëherë hallet franceze qenkan të mëdha dhe në shtim. Kjo situatë na kujton romanin e Emil Zolasë, “Shpartallimi” që shpjegon gjendjen e kombit në prag, gjatë dhe pas humbjes së luftës franko-prusiane në 1870-1871. Shteti i madh europian, shtyllë e BE-së, sot është në krizë identiteti edhe për shkak të ndryshimeve demografike, edhe të gjendjes ekonomike, që ka krijuar konflikte që nuk imagjinoheshin të tilla 2 dekada më parë.
Sfidanti.al