Franca na mundi, por problem është se na mundi shumë lehtë!

Nuk po e krahasojmë me epopetë e 2014-ës dhe 2015-ës, që në fund të fundit ishin miqësore. Dueli i humbur 1-4 në fushën e Francës, në eleminatoret e Europianit, ishte shumë larg edhe humbjes 0-2 pësuar në fazën e grupeve të Europianit paraardhës, atij të vitit 2016. Nëse skuadra e De Biazit luftoi “dhëmb për dhëmb” me kundërshtarin e madh, duke krijuar raste e duke rrahur shtyllën, kjo e sotmja e Edi Rejës nuk arriti të kishte lojë. Problemi nuk ishte se Franca na rrahu, as që na rrahu 4-1, por që na mundi fare lehtë, sikur po bënte diçka më shumë se një stërvitje të fortë.

Një ekip i tillë, që e qarkullon pak topin, të cilit kundërshtari “i merr frymën”, dhe që e vë shumë pak në vështirësi mbrojtjen rivale, vështirë se meriton të kualifikohet për në finalet e një turneu të madh. Nëse ekipi i De Biazit, ishte një ansambël i harmonizuar, me një formacion stabël ku lojtarët e njihnin njëri-tjetrin, sot kemi një ekip ende në fazën eksperimentale. “Nuk patëm guxim, – u shpreh Mërgim Mavraj pas ndeshjes, – humbjen nuk e shoh shumë shqetësuese”. E vërteta është se një lojtar si Mavraj po luan sepse nuk dëshiron të lerë boshësi në qendër të mbrojtjes, pasi Shqipëria nuk ka me kë e zëvendëson.

Me një mbrojtje ende të palidhur, me një mesfushë me ndryshime dhe me një sulm shumë larg formës së 2016-ës, padyshim që kombëtarja do ta ketë të vështirë, sidomos ndaj ekipeve si Franca. Gjithsesi, Edi Reja është një trajner me përvojë, dhe nga ky grup ende eksperimental mund të krijojë një skuadër, ashtu si De Biazi.

Francë-Shqipëri 4-1 (Koman 8’, Zhiru 27’, Koman 68’, Ikone 85’, Cikalleshi 90’ (p)

Shqipëria: Strakosha, Ismajli, Gjimshiti, Mavraj, Hysaj, Ramadani (Gjasula 54’), Abrashi (Xhaka 73’), Roshi, Bare, Uzuni, Balaj (Cikalleshi 61’). Tr. Reja

Sfidanti.al