Nuk thuhet kot se nuk duhet folur para kohe, dhe se e djeshmja nuk mund të jetë teksti i gatshëm për të ardhmen. Shumë kritika pati për Francën e trajnerit Didie Deshamp pas eleminimit në raundin e dytë të Europianit nga Zvicra pas penalltive, dhe për problemet e brendshme e për kritikat qoftë edhe nga politika franceze. Pavarësisht kësaj, dhe pavarësisht se u gjendën me shpatulla pas murit, “gjelat” e Deshampit patën forcën morale, por padyshim edhe të klasit që të mos pranonin disfatën dhe ta kthenin atë në fitore.
Në stadiumin “Alianc” në Torino u luajt një ndeshje që u ngjau atyre betejave të famshme në historinë ushtarake, që fitohen ndërsa mendohen të humbura, siç bënë gjeneralë të mëdhenj që nga Aleksandri i Madh e deri tek Napoleoni e Kutuzovi. Belgjika e Romelu Lukakut u duk më në fund se do të shkonte në një finale të madhe, dhe se do ta thyente mallkimin francez që vazhdonte që nga 1981-shi. Nuk ndodhi kështu dhe do të duhet tëp resin, edhe pse kryesoi 2-0 me golat Karraskosë e Lukakut.
Krenaria franceze u shfaq me golat e shpejtë të Karim Benzemasë në 62 e Kilian Mbapesë në 69’, që realizuan barazpeshën duke e ngjitur ekipin në pozita më të forta psikologjike. Në 87’, Lukaku mendoi se shënoi golin e fitores, por u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje, ndërsa në fund Teo Hernandez i Milanit shënoi një gol të shkëlqyer për fitoren e kampionëve të botës. Një tjetër sukses i tyre ndaj Belgjikës si në gjysmëfinalen e Botërorit në Rusi në 2018, ndërsa finalen do ta kenë ndaj Spanjës.
Belgjikë-Francë 2-3 (Karrasko 37’, Lukaku 40’, Benzema 62’, Mbape 69’, Teo Hernandez 90’)
Belgjika: Kurtua, Alderveireld, Denajer, Vertongen, Kastanje (Baçuai 90’), Vicel, Tilemans (Vanaken 70’), Karrasko, De Brujn, Lukaku, Hazar (Trosar 74’). Tr. Martinez
Franca: Joris, Kunde, Varan, Lykas Hernandez, Pavar (Dybua 90’), Pogba, Rabio (Çuameni 75’), Teo Hernandez, Grizman, Benzema (Veretut 90’), Mbape. Tr. Deshamp
Sfidanti.al