Flik i zhgënjyer, por Bajerni ka turpe edhe më të mëdhenj në Kupë!

Trajneri bavarez doli nga fusha me kokën ulur dhe nuk kishte sesi të ishte ndryshe. Hansi Flik e ndjeu gjithë peshën e dështimit, për shkak të eleminimit që në turin e dytë të Kupës së Gjermanisë në fushën e Holshtajn Kilit. Ekipi që fitoi Championsin pa humbur asnjë pikë, u flak jashtë gare nga ekipi i kategorisë së dytë.

“Padyshim një tronditje e madhe, – pranoi Hansi Fliku, – jemi thellësisht të zhgënjyer sepse donim të mbronim tre titujt e fituar vjet. Ekipit nuk i mungoi dëshira, por vendosën momentet, ishim dominues, por ja që pësuam gol në sekondën e fundit. Gjithsesi, përgëzime Kilit, që na dha një betejë të vërtetë kupe. Le ta lemë sa më shpejt pas krahëve këtë dështim dhe të shohim përpara”.

Mediat gjermane padyshim që thirrën “turp”. Që nga “Bildi”, revista “Kiker”, por edhe “Tagescajtung”, “Shport 1” apo “Zyddojçe Cajtung”, theksuan njollën që iu vu historisë së kampionëve të Gjermanisë dhe të Europës. Një fjalë “turp”, siç ndodhi kur Gjermania Perëndimore u eleminua nga Europiani në Tiranë në 1967 pas barazimit 0-0 me Shqipërinë, apo kur Gjermania e Joakim Lëvit u mund 0-6 vitin e kaluar në Spanjë për Ligën e Kombeve. Gjithsesi, pati analistë që nuk e quajtën habi eleminimin, pasi Bajerni po pësonte shumë gola kohët e fundit.

“Një përvojë e jashtëzakonshme për të gjithë ne, – ishin fjalët e trajnerit vendas, Ole Verner, – të eleminosh Bajernin nuk ndodh çdo ditë dhe ne do ta kujtojmë këtë për një kohë të gjatë. U mbrojtëm mirë dhe patëm një portier të zotin. Po ashtu, luftuam shumë në sulm. Kualifikimin e arritëm sepse besuam se mund ta arrinim”.

Gjithsesi, nuk duhet të qortohen aq shumë kampionët e mëdhenj bavarezë, pasi Kupa e Gjermanisë ka pasur shpesh tronditje të tilla.

Vetë Bajerni është eleminuar me turp nja 10 herë në histori, me ekipe krejtësisht modestë si Homburgu dy herë, Osnabryku, Bajrojti, Vajnhajmi, Magdeburgu apo Aheni, ndërsa turpi më i madh, ndodhi në 1994, kur ekipi i Xhovani Trapatonit e Lotar Mateusit u eleminua që në turin e parë nga Festenbergsgrojti. Humbja 0-1 u quajt “nëna e të gjitha katastrofave” në historinë e Kupës nga mediat gjermane, pasi iu shkaktua nga ekipi amator i një fshati me 1 500 banorë.

Sfidanti.al