Fitore “e vogël” me Uellsin, i mjafton Panuçit për të ruajtur stolin?!

Kombëtarja shqiptare arriti fitoren e parë, pas 3 humbjeve radhazi, një sukses “të vogël” në miqësore ndaj Uellsit në “Elbasan Arena”, dhe mund të marrë frymë pak fare më e lehtësuar. U mor rezultati maksimal pas një dueli të luajtur jo aq mirë, ku britanikët dominuan në pjesën e parë, patën raste pas pushimit, dhe pretenduan për penallti, por ku gjëja më e rëndësishme, shënimi i golit u bë nga shqiptarët.

Mirë që erdhi kjo ditë, por ende nuk dihet nëse do t’i mjaftojë Kristian Panuçit për të vazhduar në postin e trajnerit kuqezi! Taulant Xhaka fitoi një 11-metërsh dhe Bekim Balaj shënoi në minutën e 58-të për suksesin e katërt të italianit në stolin e ekipit përfaqësues. Kjo, vetëm tri ditë pas katastrofës së Shkodrës, 0-4 ndaj Skocisë, që i dha fund shpresave tona për kualifikim në Ligën e Kombeve.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ende nuk ka dhënë ndonjë mesazh të qartë se çfarë do të bëjë me Panuçin, ndonëse e kishte paralajmëruar në prag të duelit ndaj Skocisë se “nëse nuk fitohet, do të flasim pas ndeshjes”. Ka shumë “të panjohura” për të zgjidhur në këtë “ekuacion”, dhe ekziston mundësia që të largohet Panuçi e të vijë një trajner shqiptar, një i huaj, ndoshta një rikthim i De Biazit (që nuk ka komentuar), por ndoshta Panuçit mund t’i jepet edhe një shans.

Formacioni i Shqipërisë ndaj Uellsit: Berisha, Veseli, Mavraj, Ismajli, Hysaj, Xhaka, Lila (Memushaj 60’), Basha, Uzuni, Grezda (Lilaj 68’), Balaj. Tr. Panuçi

Sfidanti.al