Fitore dhe skandal, e tillë ishte mbrëmja e Nurmagomedovit!

Edhe vetë Majk Tajson u detyrua të habitej pa masë. “Kjo nuk ka ndodhur as në çmenduritë e mia më të mëdha”, komentoi ai në rrjetet sociale, pas supersfidës së UFC-së, fituar nga Habib Nurmagomedovi ndaj Konor Mekgregorit. Ish-kampioni absolut i peshave të rënda në boks nuk u habit nga suksesi i luftëtarit nga Dagestani, por nga sherri që shpërtheu më pas.

Vetë Nurmagomedov kaloi gardhin e kafazit për të sulmuar një pjesëtar të ekipit të Mekgregorit, Dilon Denis, për një arsye që nuk ishte e qartë fillimisht, ndoshta ndonjë ofendim. Një pjesëtar i ekipit të Nurmagomedovit hyri në oktagon dhe pati lirinë për të goditur me dy grushte Mekgregorin, diçka që nuk pritej të ndodhte në një ndeshje të sigurisë kaq të lartë. Presidenti i federatës UFC, Dejni Uajt, nuk pati guximin t’i jepte Nurmagomedovit, brezat e tij të kampionit, duke iu druajtur ndonjë sherri masiv.

Mëkat për këtë fund, ndërsa ndeshja ishte një pohim i dominimit të luftëtarit nga Dagestani, me nënshtetësi ruse. i mbiquajtur “Shqiponja”, 30-vjeçari pati epërsi të plotë ndaj irlandezit, duke e detyruar të dorëzohej në raundin e katërt. Nurmagomedovi u tregua tepër i talentuar, sidomos me kapjet dhe vënien poshtë të kundërshtarit, duke përballuar rrezikun më të madh, grushtat e fortë të Mekgregorit.

Rusi me origjinë avare, dhe i besimit mysliman, u konfirmua si kampion i botës në UFC në peshat e lehta, në ndeshjen që cilësohet si më e madhja në historinë e këtij sporti, ndërsa bilanci i karrierës është 27 fitore e 0 humbje.

Sfidanti.al