Fiorentina i shkakton humbjen e parë Milanit, ngjitet Juventusi

Javë shumë e rëndësishme kjo e tanishmja në Serinë A, dhe “dita e mirë u duk që në mëngjes”. Në të vërtetë, u duk që mbrëmjen e së shtunës me rezultatet e Fiorentinës ndaj Milanit dhe Juventusit në fushën e Lacios. “Vjollcët” realizuan një ndeshje të madhe ndaj kuqezinjve të Stefano Piolit duke u shkaktuar humbjen e parë këtë sezon në kampionat. Gjithçka e merituar, edhe pse e ndihmuar nga gabimi i portierit Tatarushanu. Dankën dhe Saponara shënuan në pjesën e parë për Fiorentinën, pastan Dushan Vllahoviç shënoi të tretin.

Milani nuk u dorëzua dhe Zllatan Ibrahimoviç realizoi dy herë, porse në fund vendosi sërish sulmuesi serb, Vllahoviç, autor i dy golave. Kjo ishte humbja e parë e kuqezinjve në Serinë A, ndërsa për Fiorentinën ishte fitore e madhe, duke i mbajtur në vendet e larta të renditjes.

Në “Olimpiko” pati polemika, ndonëse mbetet në fuqi fitorja 2-0 e Juventusit dhe ngjitja në renditje me 21 pikë duke barazuar Lacion. Dy penallti të kthyera në gol nga Bonuçi i dhanë suksesin Juves, ndonëse vendasit protestuan për penalltinë e parë fituar nga Morata. Tashmë, “Zonja e Vjetër” është vetëm 4 pikë larg vendit të tretë dhe të katërt, ndonëse Interi do të luajë këtë të dielë ndaj Napolit. Më herët, Atalanta mundi 5-2 Specian duke qenë edhe ajo në garë për Championsin.

Rezultatet: Fiorentina-Milan 4-3, Lacio-Juventus 0-2, Atalanta-Specia 5-2. Renditja: Napoli e Milan nga 32, Interi e Atalanta nga 25, Fiorentina, Lacio e Juventus nga 21 etj.

Sfidanti.al