Vllaznia kujtohet të fitojë në Superligë, 3-1 Kastriotit dhe afrim me kreun!

U desh të kalonin shumë kohë që të bënin kthesën. Shkodranët ia dolën më në fund të fitonin një ndeshje pas humbjeve me Kukësin e Tiranën, dhe pas barazimit me Egnatian. Suksesi ishte bindës, 3-1 ndaj Kastriotit në “Loro Boriçi” dhe Vllaznia iu afrua vendeve të para në renditje. Aralica shënoi në 10’, pastaj Julian Hoxhaj realizoi golin e dytë pa kaluar mirë 9 minuta. Sulmuesi vlonjat u kthye tek rrjeta pas shumë kohësh dhe shkodranët shpresojnë që ai të vazhdojë kështu. Hoxhaj nuk i la që të prisnin shumë ndërsa trefishoi rezultatin në nisje të pjesës së dytë, në 56’.

Skuadra e trajnerit Tomas Brdariç mund të kishte shënuar shumë më tepër, pasi lojtarët e saj, Aralica, Hoxhaj apo Latifi humbën raste të pastra, ndërsa shkodranët duket se e kanë zakon që sa herë fitojnë, e bëjnë duke realizuar shumë gola. Kastrioti mbeti në fund me vetëm 5 pikë dhe është kandidati numër 1 për të rënë nga kategoria, ndonëse duhen ende 27 ndeshje deri në përfundim. Vllaznia, në të kundërt, ka tani 13 pikë duke iu afruar Kukësit që mban vendin e dytë, e duke mbetur me shpresë për të mbërritur Tiranën kryesuese.

Sfidanti.al