De Biazi ka ikur dhe nuk ka dhënë shpjegime pas ndeshjes, por ka mbetur një mister i madh, një “trimëri” e paparë e njeriut të stolit, kur nga 8 futbollistë që kishim në fushë, pa portën, 4 ishin sulmues! Dukej sikur ky ekip nuk kishte lidhje gjaku me ata që luajtën me Spanjën, që u ngujuan për 90 minuta në portë.
Shqipëria humbiste me 2 gola ndaj Izraelit, dhe fusha çuditërisht popullohej vetëm nga sulmuesit, në vend që të alarmoheshim për portën. Dalja e mbrojtësit Hysaj, që ishte më i sakti në atë pazotësi kolektive, dhe zëvëndësimi me Edgar Çanin, rezultoi si një rrufe në qiell të pastër. Nuk ia vlente të pyesje pastaj pse Roshi u ndërrua me Manaj,pse kështu dhe pse ashtu..
Izraelitët, që treguan kaq shumë frikë për këtë “luftë imagjinare”, me siguri do ta kenë puthur nga larg trajnerin tonë, që po kujdesej edhe ai që “udhëtimi i tmerrit” të shndërrohej në një piknik.